Në besimin e Krishterë, festa e Pashkës është një nga festat më kryesore. Në fakt Pashka në vetvete është një histori që në shikim të parë është e dhimbshme, por përfundimi i saj mund të përmblidhet shkurtimisht vetëm me fjalën “fitore” mbi mëkatin.

Dhe pse ne si të rritur e dimë shumë mirë se çfarë është Pashka dhe kuptimin e saj, ndoshta ndonjëherë pyesim veten:- A është koha e duhur t’i mësojmë fëmijëve tanë mbi Pashkën? A është koha e duhur që t’i tregojmë atyre për vdekjen e Jezusit? Po ringjalljen e Jezusit a do ta kuptojnë dot?

Ne sugjerojmë që ju të ndani me fëmijet tuaj mbi Pashkën, jo vetëm një pjesë, por të gjithë historinë, siç përshkruhet në Bibël. Biseda me fëmijët tuaj për jetën e Jezusit dhe përfshirja e besimit tuaj në traditat tuaja të Pashkës do t'i ndihmojë fëmijët të kuptojnë se çfarë është Pashka.
Sigurojini për dashurinë e Jezusit dhe kjo do t'i ndihmojë gjithashtu të ndihen të ngushëlluar dhe jo të frikësuar nga historia e Pashkës. Është detyra e prindërve t’i tregojnë fëmijëve që është dikush më i fuqishëm se ne dhe se vetëm Ai dhe asnjë tjetër mund të ketë fitore mbi vdekjen. Historia e Pashkës mund të jetë gjithashtu dhe një pikë reflektimi për fëmijën tuaj për të pranuar Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar.

Ne si Bashkësia e Ungjillizimit të Fëmijëve të Shqipërisë sugjerojmë katër hapa për t’i treguar fëmijëve tuaj mbi historinë e Pashkës.

1. Tregoni qartazi me fjalët tuaja historinë e Pashkës.

Fëmijët nuk kanë nevojë të dëgjojnë fjalë të mëdha që të  çuditen nga zgjuarsia e të rriturve. Fëmijët i duan shpjegimet e thjeshta. Ne sugjerojmë që gjatë komunikimit me fëmijën tuaj të përdorni dhe pyetje si për shembull:

- A e dini arsyen pse Jezusi erdhi?

-A e dini kuptimin e Pashkës?

-A e dini pse Pashka është e rëndësishme për ne?

Duke i ditur dhe njohuritë që fëmija juaj ka mbi Biblën, gjithashtu mund të ndani me të shkurtimisht për Pashkën e parë, pra daljen e popullit të Izraelit nga Egjipti. Sigurohuni t’i tregoni që Jezusi është sakrifica që mori mëkatin e cilitdo që beson në Të.

2. Lexoni vargje Biblike ndërsa i tregoni historinë e Biblës.

Leximi i Biblës së bashku është më tepër i rëndësishëm se sa ju e mendoni. Shpesh herë mjaftohemi me faktin që fëmijët i dinë historitë Biblike dhe mund të nënvlerësohet leximi i Biblës. Është shumë e rëndësishme t’i tregojmë fëmijëve burimin dhe bazën nga i marrim njohuritë që po ndajmë me to. Fëmijët janë imitues më shumë se dëgjues. Në qoftë se ata ju shohin që ju lexoni Biblën, ata do të duan të bëjnë atë që ju bëni. Fëmijët tanë duhet të këshillohen të lexojnë Biblën dhe të mos e neglizhojnë leximin.

Gjithashtu këshillojmë dhe vizuale të ndryshme që ju mund të përgatisni për t’i treguar për Pashkën. Mund të vizatoni një kryq në një fletë dhe një varr bosh në një fletë tjetër. Fëmijët mësojnë më shumë kur mesimi shoqërohet nga vizualet.

3. Lutuni së bashku pasi të përfundoni së shpjeguari historinë e Pashkës.

Është shumë e rëndësishme që fëmijët të kuptojnë që ne po flasim për një person real, i cili është akoma i gjallë dhe vepron në mesin tonë. Ndihuni të lirë t’i tregoni fëmijës se si ende dhe sot Jezusi punon në jetën tonë edhe pse ne nuk e shohim fizikisht. Tregojini fëmijës një histori reale se si Zoti ka punuar në jetën tuaj. Kjo do t’i bindë ato që Jezusi është i gjallë dhe vërteton atë që është shkruar në Bibël.

4. Bëni një aktivitet së bashku.

Vendosni së bashku të bëni një dhuratë që fëmija ose femijët tuaj ta ndajnë me një shok ose shoqe të tyre. Nëpërmjet kësaj dhurate, nxitini dhe udhëzojini fëmijët që të ndajnë Ungjillin me mikun e tyre. Ashtu sikurse Jezusi na dhuroi jetën e përjetshme për cilindo që beson në Të, fëmijët të marrin dhe të japin dhuratat në këtë simbol.

Fëmijët janë instrumente të mrekullueshëm ungjillizimi dhe tepër efektiv. Kjo metodë i mëson ata që të jenë praktik dhe të ndajnë Lajmin e Mirë të Jezus Krishtit me fëmijët e tjerë.

Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.

Romakëve 10:17

Bashkësia e Ungjillizimit të Fëmijëve të Shqipërisë©.  14 Prill 2022.   

Lini një koment

Your email address will not be published.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohuni me email

Merrni njoftime tona për aktivitetet dhe postimet e reja.